Nominimi i Nismës Rinore për të Drejtat e njeriut për Çminimi prestigjioz për të Drejtat e Njeriut “Vaclav Havel” tregon se institucionet europiane e kuptojnë nevojën e vazhdueshme për aktivizëm anti-luftë në Ballkan, thotë drejtori i programit i OJQ-së në Serbi.

Ivan Djuric, drejtori i programit të degës së Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi, tha për BIRN në një intervistë se nominimi i organizatës për Çmimin për të Drejtat e Njeriut “Vaclav Havel” është një njohje që fushatat anti-luftë mbeten të domosdoshme në rajonin e Ballkanit.

“Kur flasim për të drejtat e njeriut, ne i referohemi Këshillit të Europës, Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut ose Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ne i ato si bastionin e fundit për mbrojtjen e të drejtave tona dhe të njihesh nga ato do të thotë shumë për ne. Do të thotë që Europa e kupton pse është e rëndësishme që ne po merremi me parandalimin e luftës këtu sot,” tha Djuriç.

“Ne mendojmë se kjo është njohje për punën tonë si një organizatë, por edhe për idetë tona dhe vlerat që ne përfaqësojmë,” shtoi ai.

Çmimi i përvitshëm Vaclav Havel, i cili mban emrin e disidentit dhe burrit të shtetit çek, jepet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në partneritet me Bibliotekën Vaclav Havel dhe Fondacionin Charter 77 dhe nderon aktivizmin e shquar të shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Emrat e përzgjedhur të këtij viti janë një shkrimtar i burgosur ujgur në Kinë, Ilham Tohti, një avokat i të drejtave të njeriut në Taxhikistan, Buzurgmehr Yorov, dhe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, e cila është një rrjet OJQ-sh që operon në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.

YIHR u themelua në vitin 2003 për të bërë fushatë për drejtësi, barazi, liri, demokraci dhe paqe dhe për të ndërtuar bashkëpunim midis aktivistëve të rinj nga vendet e ndryshme të Ballkanit mes ndasive të vazhdueshme të shkaktuara nga luftërat e viteve 1990.

Një nga çështjet kryesore të YIHR në Serbi është promovimi i të drejtave LGBT dhe është ndër organizatorët e përvitshëm të Paradës së Krenarisë në Beograd. Në vitet e para të saj, Parada e Krenarisë u prish me dhunë nga ekstremistët e krahut të djathtë dhe më pas u ndalua për tre vjet radhazi për shkak të shqetësimeve të sigurisë, por që nga viti 2014 ka vazhduar pa ndonjë incident të madh në një zonë të rrethuar me kordon në qendër të qytetit nën masa të rrepta policore.

Përpara Paradës së ardhshme të Krenarisë që do të mbahet në Beograd të dielën, më 15 shtator, organizatorët organizuan një event të vogël për të çuar mesazhin e tolerancës nga kryeqyteti në qytete dhe fshatra më të vogla serbe.

“Ne vizituam dhjetë qytete dhe në shumicën e tyre, atmosfera ishte e mirë, u prit mirë,” tha Djuriç.

Ai u shpreh se nëse Krenaria e Beogradit tani është “normalizuar”, ishte përgjegjësia e organizatorëve që ta “ndanin atë” duke i shtrirë eventet e Javës së Krenarisë në vende të tjera në të gjithë vendin.

Aktivistë të LGBT me pankarta nëpër duar marshuan në qendrat e tetë qyteteve provinciale, por në Valjevo dhe Novi Pazar, eventet u anuluan pas kërcënimeve nga grupe të krahut të djathtë.

Kriminelët e luftës “lavdërohen”

Përveç Krenarisë, YIHR është më së shumti e njohur në Serbi për aktivizmin e saj rreth çështjes së krimeve të luftës, duke organizuar ndërhyrje që theksojnë nevojën për të respektuar faktet e vendosura nga gjykata për luftërat e viteve 1990 dhe për të dënuar autorët.

Kjo mbetet një çështje e diskutueshme në Serbi, ku krimet e luftës të kryera nga serbët shpesh mohohen ose minimizohen nga autoritetet dhe një kriminel i dënuar lufte madje është deputet në parlament – kreu i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli.

“Unë mendoj se dënimi moral i krimeve të luftës nuk ka ekzistuar kurrë këtu në shoqërinë tonë,” tha Djuriç.

“Kur flasim për aspektet juridike, për gjyqet e krimeve të luftës dhe rezultatet e tyre, ato gjithmonë janë pranuar dobët këtu,” vazhdoi ai. “Por unë mendoj se ne jemi në pikën më të ulët tani, sepse nuk ka asnjë dënim moral të kriminelëve të dënuar të luftës. Përkundrazi, elita politike aktuale po i lavdëron ata, duke festuar festat shtetërore me ta, duke botuar librat e tyre,” shpjegoi ai.

Vitin e kaluar, një gjykatë serbe la në fuqi dënimet dhe gjobat e dhëna për tetë aktivistë të YIHR për ndërprerjen e një fjalimi nga krimineli i dënuar i kohës s ëluftës Veselin Sljivancanin në një event të organizuar nga Partia Progresive Serbe në pushtet në qytetin e Beskas.

Sljivancanin vuajti dënimin me burg për krime lufte pasi u dënua për asistim dhe torturim të të burgosurve jo serbë nga Vukovari në Kroaci në vitin 1991. Që nga lirimi i tij, Sljivancanin ka qenë një mysafir i shpeshtë në eventet e organizuara nga Partia Progresive.

Djuriç tha se kjo mungesë e dukshme e progresi në shoqërinë serbe nganjëherë mund të jetë zhgënjyese.

“Por në pjesën më të madhe të ditëve, ndjesia është e ndryshme. Mund të shikoni pak sukses, që ka diçka që i shqetëson mohuesit e krimeve të luftës, se ajo derë po hapet disi. Më pëlqen të mendoj se ne, të gjithë ne aktivistët kundër luftës, kemi vendosur një këmbë në prag dhe se pa ne, pa të gjithë lëvizjen anti-luftë, ajo derë drejt Perëndimit, i cili respekton paqen, demokracinë dhe lirinë, do të ishte mbyllur shumë kohë më parë,” shprehet ai.

“Rojtarët e kujtesës”

YIHR në Serbi është e përfshirë në organizimin e eventeve si festivali i përvitshëm “Mirëdita, Dobar Dan” në kryeqytetin serb, i cili prezanton artin kulturën e Kosovës para një publiku në Beograd dhe ka për qëllim të afrojë serbët dhe shqiptarët e Kosovës.

Nisma është përfshirë gjithashtu në përkujtimoret e përvitshme në Beograd për viktimat e masakrave të Srebrenicës të vitit 1995 nga forcat serbe të Bosnjës, të cilat Serbia nuk pranon t’i quajë gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

Këto ndërhyrje kanë provokuar reagime të forta nga nacionalistët dhe të djathtët në Serbi, të cilët kanë bërë kërcënime dhe herë pas here janë përpjekur të ndërpresin eventet që promovojnë pajtimin midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Djuriç shprehet se përgjegjësia e aktivistëve ndaj së vërtetës dhe drejtësisë ishte më e rëndësishme sesa çdo frikë nga ndonjë sulm i mundshëm.

“Për shembull, nëse mban një banderolë me emrat e viktimave të luftës së Kosovës të varrosura në një varr masiv në Batajnica, afër Beogradit, dhe dikush vjen duke kërcënuar se do të të godasë me ndonjë shishe a diçka të ngjashme, është e pandershme për viktimat që të trembesh. Ne gjithashtu kemi besim të madh te policia, sepse kemi parë që ata e bëjnë punën e tyre shumë herë profesionalisht,” shpjegoi ai.

“Por duhet të them se ka gjithashtu diçka në lidhje me faktin që ne po përpiqemi të jemi rojtarë të kujtesës, ose mbrojtës të njerëzve që vuajtën shumë më tepër nga sa ne mund të imagjinojmë. Kështu që ndërgjegjja s’të lejohen që të trembesh,” shtoi ai.