Aktivistë të rinj nga Kroacia, Kosova dhe Serbia, të cilët monitoruan rëndësinë publike të kriminelëve të luftës në vendet e tyre gjatë dy viteve të fundit, paralajmëruan se ata respektohen dhe janë tepër aktivë në jetën politike.

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, YIHR, një organizatë rajonale e përbërë nga aktivistë të rinj dhe ekspertë të drejtësisë tranzicionale, prezantoi të hënën një analizë që tregon se si kriminelët e dënuar të luftës vazhdojnë të kenë role të spikatura në arenën publike në Ballkan.

“Ne kemi vëzhguar se në të gjitha vendet ku YIHR ka një zyrë, ekziston një lloj problemi i ngjashëm: kriminelët e luftës në arenën publike vlerësohen, disa prej tyre si heronj dhe disa prej tyre në një lloj aleance me pushtetin politik”, tha Branka Vierda nga dega kroate e YIHR në Forumin e 12-të vjetor për Drejtësi Tranziconale në vendet Post-Jugosllave, i cili u mbajt në Zagreb.

Analiza e YIHR vuri në dukje se një numër i madh të pandehurish janë mirëpritur shumë ngrohtë nga krerët e shtetit dhe zyrtarët e kishës pasi kanë vuajtur dënimet e tyre apo u është dhënë lirim i parakohshëm. Disa prej tyre kanë përfituar edhe favore speciale.

Në shtator 2018, mediat kroate raportuan se Tomislav Mercep, i cili po vuan një dënim me shtatë vjet burg për krime lufte, kaloi disa javë rikuperimi në një qendër bukurie në vend që të vuante dënimin e tij në burg.

Vierda kujtoi se ministri kroat për veteranët e luftës Tomo Medved ishte dakord me këtë vendim dhe se ai “u zotua personalisht se Mercep mund të qëndronte në qendrën e bukurisë”.

Në prill të këtij viti, i dënuari kroat i Bosnjës nga Gjykata e Hagës Dario Kordiç mbajti një fjalim në një rezidencë studentore në Zagreb për vitet e tij të burgut dhe besimet e tij fetare. Kordiç u lirua në vitin 2014 pasi vuajti dy të tretat e dënimit të tij me 25 vjet burg dhe u mirëprit nga disa politikanë kroatë kur arriti në aeroportin e Zagrebit, vuri në dukje Vierda.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se si presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç refuzoi të revokonte çmimet që u kishte dhënë gjashtë zyrtarëve nga shteti i vogël kroat i Bosnjës Herceg-Bosnja përpara se ata të dënoheshin për krime nga Gjykata e Hagës. Njëri prej tyre ishte ish-gjenerali Slobodan Praljak, i cili vrau veten duke pirë helm gjatë dhënies së dënimit të tij.

Situata është e ngjashme në Serbi, ku i dënuari për krime lufte Veselin Sljivancanin ka qenë një i ftuar i shpeshtë në eventet e organizuara nga Partia Progresive në pushtet, tha Ivan Djuriç nga YIHR Serbia.

Tetë aktivistë të YIHR u gjobitën vitin e kaluar nga një gjykatë serbe për ndërprerjen e një fjalimi të mbajtur nga Sljivancanin në një event të organizuar nga Partia Progresive në qytetin e Beskës.

Marigona Shabiu nga YIHR Kosova tha se vendi i saj ka vetëm një të dënuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës, Haradin Bala, një ish-gueril i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili vdiq pasi iu dha lirimi i parakohshëm në 2013.

Shabiu dhe aktivistë të tjerë të YIHR kritikuan Kuvendin e Kosovës për mbajtjen e një minute heshtje në janar 2018 për të përkujtuar vdekjen e Balës.

Autor: BIRN, Foto: BIRN