Grupi i aktivistëve të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut nga Serbia ka përfunduar turën memoriale të shënimit të operacionit “Oluja”(Stuhi) në vendngjarjet e krimeve, duke vizituar kompleksin memorial “Jasenovac”, përkatësisht kompleksin e kampit “Ciglana” të Ustashëve gjatë kohës së NDH (Shteti i Pavarur i Kroacisë – SHPK) në Luftën e II Botërore.

Në kuadër të kompleksit memorial “Jasenovac”, kanë vizituar dhe ndërtesën e muzeut në të cilën janë shkruar më shumë se 80.000 emra të vdekurish në atë kamp, sipas evidencës zyrtare të kompleksit, ndër të cilëve shumica ishin Serbë, Romë dhe Hebrenj.

Në ndërtesën e muzeut janë ekspozuar edhe enët nga të cilat hanin të burgosurit e kampit, si dhe sendet e forta – çekiçë, thika, sëpata… me të cilët janë vrarë me goditjet në kokë, gjë që secili prej rojeve të kampit kishte mundësi ta bënte në çdo moment, për cilëndo arsye, pa mbajtur asnjë lloj përgjegjësie.

Përveç rrobave të disa të burgosurve, në ndërtesën e muzeut janë ekspozuar edhe pjesët e tullave të prodhuara nga të burgosurit, që janë përdorur për të rrethuar kampin nga tre anë në gjatësi prej 3,5 kilometrash.

Pas muzeut, aktivistet vizituan monumentin “Cvet” (Lule), vepër e një arkitekti të njohur dhe ish-kryebashkiakut të Beogradit, Bogdan Bogdanoviq, tek i cili arritën nëpërmjet një rrugice të shtruar me pragje druri të sjella nga hekurudhat me të cilat janë transportuar me tren meshkujt, gratë dhe fëmijët e zënë rob, përpara të cilit kanë shpalosur një baner: “Shumë të rinj për të kujtuar, por të vendosur për të mos harruar”.

Monumenti sipas të cilit njihet Kompleksi memorial “Jasenovac”, është ndërtuar në formë luleje, me idenë që të simbolizojë nxjerrjen e fuqisë nga toka, përkatësisht nga viktimat, dhe të jetë i hapur drejt diellit dhe gjeneratave të reja, në mënyrë që mos t’i ndodhë më askujt ajo që ka ndodhur në atë kamp.

Rrugës për te monumenti i cili ndodhet në vendin e ish-kampit III Ciglana Jasenovac, kalohet pranë disa kodrave, të cilat Bogdanoviq i ka konceptuar në vendet ku janë lokalizuar varrezat masive në të cilat janë varrosur të burgosurit, mbetjet mortore e të cilëve janë djegur brenda 15 ditëve para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Kampi i përqendrimit Jasenovac ka qenë kampi më i madh i themeluar nga regjimi ustash në territorin e SHPK gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili përbëhej prej disa njësish kampi, të themeluara në intervalet shumë të shkurtra kohore nga muaji Gusht i 1941 deri në Janar të vitit 1942.

Në fillim të ekzistencës së tij, kampi ka qenë vetëm për meshkujt, ndërsa nga viti 1943 në të burgoseshin edhe gratë e fëmijët.

Zona e Jasenovacit u zgjodh si vend për kamp për shkak të pozicionit gjeografik, sepse ishte e rrethuar me lumenj dhe moçale, gjë që e vështirësonte arratisjen e mundshme, duke ua lehtësuar rojeve kontrollin mbi të burgosurit.

Arsyeja tjetër ishte hekurudha e cila kalon në vendin Jasenovac, nëpërmjet së cilës janë kryer deportimet e të burgosurve, ndërsa arsyeja e tretë ishin impiantet industriale të cilat ishin pronë e familjes serbe Baçiq nga Jasenovac para Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas u ishin konfiskuar.

Të burgosurit e kampit detyroheshin për të kryer punët e rënda fizike në kuadër të impianteve industriale, si mënyrë e torturës dhe poshtërimit.

Kampi u mbyll më 22 Prill të vitit 1945, ndërsa pas depërtimit të frontit të Sremit dhe pritjes së ardhjes së Ushtrisë Çlirimtare Popullore, Ustashët vendosën që t’i likuidonin të gjithë ata që ishin të gjallë në atë moment.

Grupi i fundit prej 640 grave, janë likuiduar më 21 Prill, ndërsa mbeteshin edhe 1.073 meshkuj të burgosur.

Të udhëhequr nga Anto Bakotiq, më 22 Prill 600 të burgosur kanë nisur depërtimin e kampit por shumica e tyre vdiqën nga shkëmbimi i zjarrit nga bunkerët përreth.

Depërtimin e kanë mbijetuar 90 të burgosur, prej të cilëve sot rrojnë vetëm dy, ndërsa 470 të burgosur të sëmurë, të cilët ishin shumë të dobët për t’u kundërshtuar Ustashëve, ishin likuiduar dhe trupat e tyre janë minuar bashkë me objektet e kampit.

Izvor: Tanjug