“’Çështja e të zhdukurve është gjithmonë edhe çështja e krimeve të kryera gjatë luftës, dhe kur ballafaqoheni me to, ai është momenti kur merrni përsipër edhe përgjegjësinë dhe kur fillon ndjekja penale e atyre të cilët kanë kryer krimet e luftës. Pushtetet nuk duan të merren me çështjen e të zhdukurve pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit për t’i thirrur në përgjegjësi autorët e këtyre veprave”, tha Serbeze Haxhiaj, gazetarja e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, gjatë një debati të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve më 30 gusht. 

Haxhiaj, e cila ka njëzet vjet që raporton mbi çështjet politike, shoqërore dhe ato të së kaluarës së luftës për mediat ndërkombëtare dhe ato të Kosovës, kujton se krimet më të këqija të luftës në Kosovë janë kryer ndaj civilëve, trupat e të cilëve fshiheshin më pas, ndërsa një pjesë e tyre nuk janë gjetur deri më sot, edhe pse autorët mbetën të padënuar për shumë vepra.

“Komuniteti ndërkombëtar përpiqet të ushtrojë presion ndaj të dyja anëve (kosovare dhe serbe) për të hapur arkivat të cilat nuk janë hapur deri më tani, megjithatë ky presion nuk ka qenë mjaft efektiv deri më tani sepse nuk ka treguar ndonjë progres të veçantë, sidomos në pesë vjet të kaluar gjatë të cilëve janë gjetur shumë pak të zhdukur”, shprehet Haxhiaj dhe shton se është e domosdoshme që të ushtrohet një presion më i fortë ndaj institucioneve që të gjejnë njerëzit të cilët dinë diçka mbi detajet e ngjarjeve kur janë zhdukur personat.

“Këta njerëz nuk janë zhdukur nga hiçi, ata i ka vrarë dikush dhe më pas ka fshehur trupat e tyre. Për këtë arsye, bashkëpunimi i institucioneve nga të dyja anët është kyç për t’i sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve dhe për të gjetur të zhdukurit”, thotë gazetarja Serbeze Haxhiaj.

Milletiq (FHP): Të nisen procedurat ndaj përgjegjësve, nuk mjafton vetëm gjetja e varrezave

Predrag Milletiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë e cila ka krijuar Bazën e të dhënave mbi krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ka vite që merret me hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftërave të viteve nëntëdhjetë, gjatë debatit kujtoi se ka situata kur mbetjet mortore ishin gjetur dhe ekshumuar, por nuk kishte shumë rezultate në hetime dhe procese gjyqësore që pasuan.

“Në shembullin e varrezës masive Rudnica mund të shohim një rast të tillë kur është gjetur varreza, por kurrë nuk është zbatuar hetimi mbi këtë rast. Gjithashtu, edhe pse çështja e të zhdukurve në Serbi dhe Kosovë është margjinale, Komisioni Evropian e konsideron çështjen e të zhdukurve si një nga temat qendrore në negociatat në mes të Beogradit dhe Prishtinës dhe këtu shohim një përkushtim të madh të BE-së për të zgjidhur këtë çështje në një mënyrë shumë më cilësore”, thotë Predrag Milletiq.

Duke folur për arkivat të cilat kanë rëndësi kyçe për gjetjen e të zhdukurve, Milletiq kujton edhe rëndësinë e intervistimit të njerëzve të përfshirë në fshehjen e krimeve, siç është rasti i varrezës masive në Batajnicë e cila u zbuluar në vitin 2001.

Shumë njerëz kanë marrë pjesë në fshehjen e krimeve, ata kanë kryer punët fizike, ishin shoferë, zhytës, gërmues dhe me ta duhet biseduar. Serbeze Haxhiaj ka publikuar disa tregime të tilla me pjesëtarët e UÇK-së. Ata thonë se nuk kanë arkivat e ngjarjeve të luftës, gjë që nuk është e saktë – këto arkiva ekzistojnë” – komenton Milletiq duke shtuar se në arkivat ekzistojnë të dhënat për varrezat masive, por që ekzistojnë edhe raportet ditore dhe javore nga të cilat mund të kuptohen rrethanat nën të cilat janë kryer krimet e luftës dhe të cilat mund të shërbejnë si pikë fillestare për shumë hetime.

Haxhiaj (BIRN): Pengesë për hetimin e krimeve të UÇK-së është mungesa e dokumenteve

Gazetarja Serbeze Haxhiaj nga BIRN-i thekson problemin që krimet e kryera nga ana njësive serbe kryesisht janë dokumentuar në mënyrë të rregullt, ndërsa nga ana tjetër tek UÇK-ja nuk ka shumë dokumente dhe arkiva në lidhje me krimet.

“Pjesa më e madhe e viktimave të kombësisë serbe janë vrarë në periudhën pas luftës, përkatësisht nga muaji korrik deri në nëntor të vitit 1999, dhe për shkak të këtij fakti ata (krerët e dikurshëm të UÇK-së) refuzojnë të marrin përgjegjësi sepse këto krime në shumicën e rasteve janë kryer nga ana e grupeve të vogla apo individëve”; thotë gazetarja Serbeze Haxhiaj.

“Dëshmitarët kanë frikë për sigurinë e tyre”

Predrag Milletiq gjatë debatit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve kujtoi se në Serbi ka njerëz dëshmitë e të cilëve do të kishin rëndësi të madhe për hetimet, por që ata kanë frikë për sigurinë e tyre.

“Prandaj ata nuk duan të ndajnë informacionet që kanë për ngjarjet e luftës. Atë do ta bënin vetëm në rast se u ofrohet pasaporta e ndonjë vendi të huaj dhe shumë para”, shprehet Milletiq.

“Shoqëria civile e Kosovës nuk është e gatshme për t’i dhënë rezistencë propagandës”

Duke folur për bashkëpunimin e Serbisë dhe Kosovës dhe procesin e gjetjes së të zhdukurve, Serbeze Haxhiaj thotë se shoqëritë duhet të ushtrojnë një presion sa më të fortë që të zgjidhet ky problem.

“Është një ngarkesë e madhe kjo që po mbartim, jo vetëm për shkak të ballafaqimit me të kaluarën, por edhe për shkak të paqes dhe bashkëpunimit midis shoqërive tona. Ballafaqimi me krimet e luftës është i vështirë për të gjithë”, u shpreh Haxhiaj duke theksuar se avokimi për paqe në Kosovë është heshtur sepse ekziston një propagandë e fortë që thotë se “pajtimi është diçka në kundërshtim me pavarësinë e Kosovës”.

“Për këtë arsye mendojmë se shoqëria civile nuk është mjaft e fortë, dhe nuk e di nëse shoqëria civile në Serbi është mjaft e fortë që të japë rezistencë dhe ushtrojë ndikim më të fortë që të zgjidhet çështja e të zhdukurve”, thotë gazetarja Serbeze Haxhiaj.

Debati online “Çështja e të zhdukurve 20 vjet pas luftës në Kosovë” u organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Në bisedë morën pjesë Serbeze Haxhiaj nga BIRN-i dhe Predrag Milletiq nga FDH, ndërsa debati u moderua nga Angjella Saviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.