Letra e mbështetjes së Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Këshillit të të Rinjve të qytetit të Tuzlës me rastin e protestës kundër mohimit të krimit tek Porta.

Të nderuar dhe të dashur,

Ne si gjeneratat e aktivistëve dhe aktivisteve paqësorë të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut nga Serbia, të cilët vijmë me vite me radhë në Tuzla si për shënimin e krimit tek Porta më 25 Maj, ashtu dhe për shkak të lidhjeve të reja që kemi krijuar, kemi detyrë të mbështesim përzemërsisht përpjekjet e Këshillit të të Rinjve të qytetit të Tuzlës për kundërshtimin e qartë dhe të zëshëm të mohimit të krimeve tek Porta, për shkak të tentativave të reja të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë që të mbrojë Novak Gjukiq duke promovuar librin e Ilija Brankoviq dhe të prezantojë një kriminel të dënuar lufte si personazh tragjik, ndërsa viktimat e krimit si vetëvrasës.

Lidhjet që kemi krijuar në programet e shkëmbimeve midis të rinjve nga BH dhe Serbia, nëpërmjet miqësive personale dhe dashurive në Tuzla, dëshmojnë se kriminelët dhe luftënxitësit prapëseprapë nuk ia dolën qëllimit të tyre për t’i ndarë plotësisht shoqëritë dhe popujt në ish-Jugosllavi.

Që nga themelimi i saj deri më sot, Nisma lufton për vlerat e njëjta. Luftojmë për paqe në rajon, jo vetëm si mungesë lufte, por si një proces të përhershëm i cili nënkupton ballafaqimin me të kaluarën dhe bashkëpunim të vazhdueshëm të vendeve dhe njerëzve të rajonit. Nuk pranojmë politikat luftënxitëse dhe kriminelët e luftës në hapësirën publike. Insistojmë në respektimin e fakteve të vërtetuara, si dhe dënimin ligjor por edhe moral të përgjegjësve. Edukojmë dhe njohim të rinjtë nga rajoni me trashëgiminë e luftës, duke bërë dialog në lidhje me perspektivat e zhvillimit demokratik të shoqërive tona. Të vetëdijshëm se pa aktivizëm civil nuk ka demokraci, mbrojmë të drejtat e njeriut dhe nuk i falim liritë e fituara.

Në përputhje me këtë, duam t’u porosisim të rinjve të Tuzlës se nuk janë të vetëm në luftën e tyre për vlerat e njëjta dhe se mund të mbështeten tek zëri i të rinjve nga Serbia.