Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YIHR Serbia) dënojnë deklaratat nga Veljko Odalovic, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Serbisë dhe Kryetar i Komisionit për Persona të Pagjetur, dhe Vladimir Lazarevic, i dënuar në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi për krime lufte në Kosovë.

Së fundmi, kryengritësit talibanë, të cilët kontrollojnë gati dy të tretat e Afganistanit, kanë hyrë në kryeqytetin Kabul dhe kanë pushtuar pallatin presidencial. Veljko Odalovic ka deklaruar se pasi amerikanët u tërhoqën nga Afganistani, kjo do të thotë se talibanët kanë mposhtur Shtetet e Bashkuara dhe britanikët dhe të gjithë ata që kanë luftuar kundër tyre. 

Odalovic në programin e mëngjesit të së Hënës në RTS tha: “Kudo që ishin amerikanët, ata u larguan nga ai vend, dhe Prishtina duhet të mendojë për këtë… “. Këtyre deklaratave ju bashkangjit edhe Vladimir Lazarevic, i dënuar për krime lufte. Ky i fundit tha që “SHBA-të do të ikin nga Kosova si nga Afganistani.”

Deklarata të tilla bëjnë thirrje për një konflikt të ri dhe nxisin urrejtje në mes komuniteteve. Ato gjithashtu ndjellin frikë e pasiguri tek qytetarët e Kosovës duke nxjerrë paralele në mes të Afganistanit dhe Kosovës.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Serbisë dhe personave udhëheqës në Serbi që të ndalojnë me deklarata të tilla frikësuese dhe të përqendrohet në procesin e pajtimit duke punuar në proceset e ballafaqimit me të kaluarën. Poashtu, bëjmë thirrje që kriminelët e luftës si Lazarevic të mos përfshihen apo ndërhyejnë në procese politike apo të mos nderohen. Rikujtojmë që Vladimir Lazarevic së fundi u nderua me titullin qytetar nderi në komunën Pantelej të qytetit të Nishit, Serbi.

Ne besojmë që nuk do të mund të arrihet normalizim i marëdhënieve përderisa ka gjuhë urrejtëse dhe frikëndjellëse nga udhëheqësit e tanishëm të të dy shteteve, dhe pa sjellur drejtësi për të gjitha viktimat pa diskriminim. 

Ne, si brez i të rinjve nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jemi kundër nxitjes së një lufte të re dhe pro krijimit të rrugëve për pajtim duke edukuar të rinjtë në ndërtimin e paqes mes dy shteteve.