Më shumë se njëzet vjet nga krimet në Podujevë, në vend të hapjes së rrugës për dëshmitë e krimit dhe zërin e familjeve të viktimave, raporti i shtetit ndaj krimeve të kryera në Kosovë nga ana je forcave policore dhe ushtarake serbe pasqyrohet tashmë në një glorifikim të vazhdueshëm të kriminelëve të luftës siç janë Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq dhe Nikolla Shainoviq.

Pavarësisht nga kjo, historitë e pesë të mbijetuarve, faktet e vërtetuara nga gjykata dhe njohuria mbi krimin dhe ata të cilët e kanë lejuar dhe kryer, na detyrojnë që t’i kujtojmë shoqërisë serbe se pa njohjen e viktimave dhe pa marrjen e përgjegjësisë për krimet nga shteti, nuk ka paqe të përhershme midis Serbisë dhe Kosovës.

Pas fillimit të ndërhyrjes NATO kundër Republikës Federale të Jugosllavisë më 24 Mars të vitit 1999, vala e dhunës sistematike ndaj Shqiptarëve të Kosovës nga ana e Policisë dhe Ushtrisë së Jugosllavisë bëhej gjithnjë e më agresive. Kështu më 28 Mars 1999 në Podujevë, përbërja rezervë e Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ), nën emrin “Škorpioni” (Akrepa) u fut në shtëpinë e parë shqiptare pas hyrjes në qytet dhe në atë shtëpi vranë katërmbëdhjetë civilë shqiptarë: Shpëtim Bogujevci (10), Shpend Bogujevci (13), Salë Bogujevci (39), Nora Bogujevci (15), Shefkate Bogujevci (43), Shehide Bogujevci (67), Nefise Bogujevci Llugaliu (54), Fezdrie Llugaliu (21), Dafina Duriqi (9), Arber Duriqi (7), Mimozë Duriqi (4), Albin Duriqi (2), Fitnete Duriqi (36) dhe Isma Duriqi (69), ndërsa pushkatimit i shpëtuan pesë fëmijë, ndonëse me lëndime të rënda – Saranda, Fatos, Jehona, Lirie dhe Genc Bogujevci. Pesë fëmijë të mbijetuar pas pushkatimit ishin transportuar drejt spitalit të Prishtinës kurse mjekimi i tyre vazhdoi në Mançester (Britania e Madhe).

Katër vjet më vonë, përpara Gjykatës së Rrethit të Beogradit filloi procesi gjyqësor kundër Sasha Cvjetan, pjesëtarit të “Akrepave”. Pesë fëmijë të mbijetuar kanë dëshmuar në këtë proces dhe në vitin 2005 Sasha Cvjetan u dënua me formë të prerë në njëzet vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e katërmbëdhjetë civilëve shqiptarë dhe plagosjen e rëndë të pesë fëmijëve.

Edhe pse nuk ishte penduar kurrë për krimet e kryera, por kishte mohuar fajin, Sasha Cvjetan më 22 Mars të vitit 2018 u lirua pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit.

Pjesëtarët e tjerë të Akrepave të cilët kanë marrë pjesë gjithashtu në këtë krim, Zhelko Gjukiq, Dragan Mediq dhe Dragan Borojeviq, në vitin 2010 u dënuan me formë të prerë nga Departamenti i krimeve të luftës së Gjykatës së Lartë të Beogradit në njëzet vjet burg, kurse Miodrag Shollaja në pesëmbëdhjetë vjet burg. Dejan Demiroviq, i cili ishte arratisur në Kanada që në vitin 2001, iu ekstradua Serbisë katër vjet më vonë dhe dhe u bë dëshmitar bashkëpunues në procesin në fjalë.

Në vitin 2013 në Qendrën Kulturore të Beogradit u hap ekspozita e Fondit Hartefakt me emrin „Bogujevci//historia vizuale, homazh të gjitha familjeve dhe viktimave të luftës“, të cilën e kanë hartuar dhe realizuar së bashku nga Saranda, Fatosi dhe Jehona Bogujevci, fëmijët e mbijetuar të masakrës së Podujevës.

Ekspozita përbëhet nga 4 pjesë të lidhura: Dhoma e ndenjes, spitali, trungu familjar dhe salla e gjykatës dhe përbën një tentativë për të treguar një histori masakre, vuajtjeje, rikuperimi, por edhe dëshire për të vërtetën dhe drejtësinë. Me thirrjen e Natasha Kandiq, themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare, në ekspozitë erdhën komandanti i atëhershëm i SAJ-it Spasoje Vuleviq, si dhe doktor Dragan Markoviq, gjithashtu pjesëtar i SAJ-it, të cilët kanë shpëtuar pesë fëmijë nga Podujeva. Ekspozita shkaktoi një numër të madh reagimesh në Serbi, ndërsa e ka vizituar edhe Ivica Daçiq, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, gjesti i të cilit mbetet një nga shembujt e rrallë të respektit ndaj viktimave të kombësisë shqiptare nga ana e autoriteteve në Serbi. Gjykata e Parë Themelore në Beograd më 16 Dhjetor të vitit 2015 mori vendimin me të cilin Republika e Serbisë detyrohej të paguajë dëmshpërblim për 24 të afërm më të afërt të katërmbëdhjetë grave dhe fëmijëve të vrarë në Mars të vitit 1999 para shtëpive të tyre nga pjesëtarët e njësive të MPB-së së Serbisë “Akrepat” në shumën totale prej 25,9 milion dinarë. Fondi për të Drejtën Humanitare i cili përfaqëson familjet e viktimave, komunikoi atëherë se pas një procesi gjyqësor nëntëvjeçar, gjykata kishte marrë vendimin e drejtë, dhe se në procedurën e shkallës së dytë, për shkak të natyrës së rastit, gjykata do të duhej të përshtastë shumat e dëmshpërblimeve me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastet e ngjashme.

Ky ka qenë vendimi i parë në Serbi i cili përcakton kompensimin e dëmit për shkak të përgjegjësisë së vërtetuar të shtetit të Serbisë për krimin e kryer nga forcat e saj ndaj civilëve shqiptarë gjatë konflikteve në Kosovë.

 

Foto: kosovo.sense-agency.com