Jo heronjtë tanë!

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YIHR Serbia) dënojnë ashpër shpalljen e kriminelit të luftës, Vladimir Lazarevic, si qytetar nderi nga komuna Pantelej e Nishit të Serbisë. Vendimi për nderim është përkrahur nga asambleja komunale e kontrolluar na Partia Progresiste Serbe e presidentit serb, Aleksandar Vucic. Lazarevic ishte i dënuar për krime lufte në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi.

Më 26 shkurt të vitit 2009, Tribunali shpalli Vladimir Lazarevic fajtor për deportim dhe tjera akte çnjerëzore duke përfshire deportime të detyrueshme. Lazarevic u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa u lirua në vitin 2015 pas kryerjes së dy të tretat e dënimit. Krimet e Lazarevic janë cilësuar si krime kundër njerëzimit. 

Kështu, ne i bëjmë thirrje qeverisë së Serbisë që të ndalojë nderimet e kriminelëve të luftës dhe të përqendrohet në procesin e pajtimit duke punuar së bashku me vendet e tjera të rajonit në proceset e ballafaqimit me të kaluarën. 

Është përgjegjësi e autoriteteve në Serbi që të mos glorifikojnë kriminelët e luftës si Lazarevic. Përkundrazi, shteti i Serbisë ka për obligim të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime lufte, por edhe të shfrytëzojë sistemin e edukimit formal për të nxitur kulturën e përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë.

Ne, si brez i të rinjve nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jemi kundër nderimit të kriminelëve të luftës. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë rrëfimet e njëanshme të historisë dhe do të punojmë për të edukuar të rinjtë në ndërtimin e paqes mes dy shteteve.

Ne besojmë se asnjë marrëveshje e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve nuk do të mund të sjellë paqe dhe zhvillim për të dyja shoqëritë, pa u dënuar të gjithë kriminelët e luftës dhe pa u nderuar të gjitha viktimat e luftës nga institucionet relevante të të dy shteteve.