Ditën e shtunë më 1 gusht, shumica e tabloidëve (Večernje novosti, Informer, Kurir) dhe gazeta ditore Politika në kopertinat e tyre kanë nisur, në mënyrë të sinkronizuar, një fushatë negative kundër Boris Millosheviqit, ish-kryetar të Këshillit Popullor Serb në Kroaci, sot Nënkryetar i Qeverisë kroate, për shkak se ky i fundit paralajmëroi praninë e tij në ceremoninë zyrtare të shënimit të përvjetorit të operacionit “Stuhi”.

Toni negativ, qëllimi i të cilit ishte që Boris Millosheviq të prezantohet si “tradhtar i popullit serb”, u mbështet nga deklaratat e Millorad Dodik dhe Ivica Daçiq, politikanë të cilët e kanë siguruar jetëgjatësinë e tyre në skenën politike duke i bërë propagandë nacionalizmit në një mënyrë gjithnjë e më drastike, dhe në bazë të kësaj kanë bërë përfitime personale, politike dhe materiale.

Tabloidët dhe politikanët nacionalistë, e kanë shmangur të përmendin në kopertinat faktin se Presidenti i Kroacisë Zoran Millanoviq dhe Nënkryetari i Dytë i Qeverisë dhe Ministri i Veteranëve Tomo Medved do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të viktimave civile serbe të Stuhisë në Grubori, disa ditë më pas.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut mbështet plotësisht praninë e delegacionit të SDSS në Knin, dhe të delegacionit të Presidentit dhe Ministrit të Veteranëve për herë të parë në Grubori

Të vërtetat zyrtare kroate dhe serbe për Stuhinë janë të ndryshme dhe përjashtuese.  25 vjet më vonë, dy të vërteta kombëtare erdhën duke u fuqizuar nëpërmjet makinerive të propagandës, në mënyrë dhe me qëllim që ta bëjnë të pamundur bashkëjetesën dhe bashkëpunimin e dy popujve. E vërteta kroate thotë se me këtë operacion u lirua në mënyrë legjitime një pjesë e okupuar e Kroacisë, e cila është një shtet i njohur ndërkombëtarisht. E vërteta serbe thotë se Stuhia është operacion i spastrimit etnik, si pasojë e së cilës janë shpërngulur nga Kroacia rreth 200.000 qytetarë të kombësisë serbe, ndërsa qindra civilë kanë humbur jetën. 

Çdo përpjekje për të gjetur mirëkuptim midis dy të vërtetave zyrtare, të cilat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por janë të vërteta në bazë, mund të kontribuojë në përcaktimin e së vërtetës për viktimat civile të luftës dhe fatet e personave të zhdukur, dhe për këtë arsye mbart një rëndësi të madhe. Gjithashtu kontribuon në ndërtimin e mirëkuptimit midis popujve, si bazë për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme. 

Pjesëmarrja e politikanëve kroatë dhe serbë në të dyja ceremonitë të shënimit dhe përkujtimit është një hap i rëndësishëm drejt respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë. Kjo është në interesin më të lartë të pakicës serbe në Kroaci, dhe të vetmit të cilët mund të pësojnë dëm prej një hapi të tillë janë nacionalistët serbë në Beograd. 

Është turpi i nacionalistëve serbë që  vendosin interesat personale gjithmonë para interesave të njerëzve që jetojnë në shtetet fqinje. Beogradi, por edhe Dodik i cili e përfaqëson Banjalukën, kurrë nuk e treguan ambicien për ta avancuar jetën e komunitetit serb në rajon, por vetëm interesat e Beogradit zyrtar dhe interesat e politikanëve nacionalistë. 

Ky nacionalizëm ekstrem, prej të cilit rrojnë Daçiq, Dodik dhe përkrahësit e tyre, na ka çuar drejt një lufte për të cilën prindërit tanë thonë se nuk ka qenë e mundshme. Ata as nuk mund ta imagjinonin se lufta do të ndodhte në të vërtetë.

Në periudhën e një armiqësie që zihet në rajon, kur të gjithë ne mendojmë se lufta nuk është e mundshme – jemi të detyruar të mbështesim çdo nismë e cila ka për detyrë ndërtimin e paqes.

Fotografia e titullit: snv.hr/oluja-u-haagu