Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kroaci i drejtoi një letër të hapur Presidentit të Republikës së Kroacisë Zoran Millanoviq me rastin e 25-vjetorit të Operacionit Stuhi.

Zagreb, më 29 Korrik 2020

President Millanoviq,

Së shpejti vjen 25-vjetori i Operacionit Stuhi. Në këtë komunikim, ndër të tjerave, ju udhëzojmë që në fjalimin tuaj të hapjes të reflektoni edhe shkeljet e të drejtave të njeriut të cilat kanë ndodhur gjatë dhe pas Operacionit Stuhi. Duke bërë një gjë të tillë, do të veproni në mënyrë përgjegjëse më së pari ndaj viktimave, drejtat e të cilëve nuk janë përmbushur sot e kësaj ditë, dhe do t’i prezantoni publikut një pasqyrë të plotë të ngjarjeve gjatë dhe pas Operacionit Stuhi, duke mos theksuar vetëm anët e tij pozitive, por edhe atë negative e cila u referohet krimeve të kryera për të cilat ende nuk kemi një epilog gjyqësor.

Po ashtu, në vazhdim do t’ju tregojmë sfidat me të cilat Kroacia ballafaqohet ende nga pikëpamja e mekanizmave të parealizuara të drejtësisë tranzicionale, në të cilat Ju si President Shteti mund të ndikoni aktivisht nëpërmjet veprimit Tuaj.

Edhe pse territori i Republikës së Kroacisë u riintegrua me anë të Operacionit Stuhi, qytetarët kroatë të shpërngulur me dhunë nuk janë kthyer dhe prandaj  deri më sot ende nuk është realizuar riintegrimi i plotë. Është e rëndësishme që të flisni për këtë dhe të mos harroni se njëra nga vlerat themelore mbi të cilat bazohet Kushtetuta e Kroacisë, është barazia kombëtare.

Në fushatën parazgjedhore e theksonit rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut, bashkësisë dhe respektimit të ndërsjelltë, ndaj shpresojmë se nuk do të hiqni dorë nga këto premtime në vazhdim të mandatit Tuaj.

Nga të gjitha vendet trashëgimtare të RSFJ-së, përveç Sllovenisë, vetëm Kroacia është bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Shfrytëzojeni këtë qëllim të realizuar politik për ta bërë Kroacinë model për fqinjët, nga pikëpamja e mënyrës së investimit në vlerat mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian, mbi të gjitha në një standard më të lartë të të drejtave të njeriut dhe sundimin e së drejtës. Nxiteni themelimin e Komisionit Rajonal për Përcaktimin e Fakteve të Krimeve të Luftës (KOMRA). Le të jetë Kroacia një vend i cili do të njihet në rajon, Evropë dhe botë për nga ndërtimi i suksesshëm i paqes, dhe jo insistimi në relativizimin e krimeve dhe kriminelëve të luftës.

Investoni mjetet materiale dhe bashkëveproni personalisht në ceremonitë përkujtimore dhe shënimet e vendeve të pashënuara të vuajtjes dhe shkeljeve masive të të drejtave të njeriut. Bëjeni në bashkëpunim me përfaqësuesit e viktimave dhe në prani të tyre. Viktimat civile të luftës nuk dallohen sipas përkatësisë etnike, por sipas njohjes, realizimit apo mosrealizimit të të drejtave të tyre përkatëse. 

Advokoni për festimin e përvjetorëve të marrëveshjeve në bazë të të cilëve është realizuar riintegrimi paqësor dhe kontribuoni që të mos harrohen aktivistët dhe aktivistet e paqes, rëndësi ka që të jemi krenarë si popull për kurajën e atyre që kanë ndërtuar paqe dhe janë përpjekur që ta ruajnë atë. Mos harroni se paqebërja është vlera jonë kushtetuese.

Gjuha e urrejtjes dhe krimet e motivuara nga urrejtja në të cilat bëhen thirrje për dhunë ndaj Serbëve dhe Serbeve nuk janë më përjashtim në përditshmërinë tonë, por janë bërë rregull i cili tregon një mostolerancë në rritje e sipër. Këto janë edhe pasojat e rolit të mitologjizuar të Republikës së Kroacisë në luftërat e viteve nëntëdhjetë. Theksoni në daljet tuaja publike se faji për krimet përcaktohet në mënyrë individuale. Tregoni se nuk ekziston përgjegjësia kolektive të popullit për krimet e kryera, por që si shoqëri duhet të investojmë në shërimin e traumës kolektive të shkaktuar nga pasojat e luftës. Një kontribut të tillë do të mund ta jepni në takimet bilaterale dhe multilaterale me përfaqësuesit e shteteve fqinje, në të cilat është e rëndësishme që të flisni në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje mbi rëndësinë e pajtimit për realizimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në këto zona.

Kontribuoni në ndryshimin e narrativit mbizotërues nacionalist për ngjarjet e viteve nëntëdhjetë dhe ndikoni në zhvillimin e një narrativi të përbashkët ku fokusi do të jetë në viktimat. Historia na ka mësuar se pranimi, dhe jo mohimi, relativizimi dhe kompensimi, kontribuon në shërimin e shoqërive të dala nga konfliktet.

Merruani dekoratat e Republikës së Kroacisë të dënuarve para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë (GJNPJ) dhe gjykatave kombëtare. Në këtë mënyrë, jo vetëm se do t’u ktheni reputacion atyre të cilët i kanë merituar këto dekorata me sjelljen e tyre dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare, por do të tregoni se jeni të vetëdijshëm dhe se dini të ballafaqoheni me faktin se krimet e luftës të kryera nga ana e pjesëtarëve të Ushtrisë Kroate dhe formacioneve të armatosura nuk janë konstrukte politike të prokurorëve, dhe të këshillave gjyqësore të GJNPJ-së, por një realitet makabër i historisë kroate.

Mos ia lini ballafaqimin me të kaluarën e viteve nëntëdhjetë aftësisë advokuese të disa organizatave joqeveritare, por shfrytëzojeni rolin, detyrën dhe përgjegjësinë tuaj historike për të kërkuar falje për krimet e kryera në emër të Republikës së Kroacisë.

Shpresojmë të bëni përpjekje për të kontribuar në realizimin e sa më sipër në mënyrë që të mos bëheni dhe Ju njëri nga zyrtarët shtetërorë të cilët nuk e kanë njohur rëndësinë dhe investuar energjinë e duhur për ndryshimin e narrativit mbizotërues nacionalist të luftërave të viteve nëntëdhjetë. Jini të vendosur për t’ua mos lënë në trashëgimi gjeneratave të ardhshëm që të ballafaqohen me pasojat e burracakërisë së atyre, detyra e të cilëve ishte dhe është që ta çojnë këtë shtet drejtë paqes dhe jo konflikteve.

 

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kroaci 

kroaci stuhi lufta në kroaci zoran millanoviq